Edhe pse lumi i refugjatëve, pavarësisht se ku shkojnë apo nga vijnë është gjithnjë i dhimbshëm, solidarizimi i bashkësisë ndërkombëtare, me refugjatët serbë, të ikur nga viset e ndryshme të ish-Jugosllavisë, deri vonë nuk ishte i shfaqur në media sikurse kishte ndodhur për shembull me refugjatët boshnjakë, apo shqiptarë, të cilët në decenien e fundit të shekullit të kaluar ishin viktima të agresionit serb. Nacionalizmi serb në përpjekje për të pushtuar ish-republikat Jugosllave që po shkëputeshin, në fakt i rrënoi bashkë me federatën edhe marrëdhëniet e serbëve me të gjithë popujt e sajë. Refugjatë serbë të ikur nga këto republika, më tepër u konsideruan viktima të politikës së shtetit serb, dhe ish Armatës jugosllave, sesa të qeverive të vendeve nga ikën pas largimit të ish- Ushtrisë së përbashkët e cila tashmë ishte vënë në shërbim të Serbisë..
Me përjashtim të shqiptarëve, popujt e tjerë në Jugosllavi ishin sllavë, dhe disa prej tyre kishin pak a shumë të njëjtën gjuhë dhe kulturë me serbët. Pavarësimi dhe njohja reciproke e ish-republikave jugosllave solli edhe një normalizim të marrëdhënieve në mes shteteve të reja, me gjithë problemet e refugjatëve serbë të ikur nga këto vende pas largimit të Armatës serbe .
Në fakt, edhe pse në Kroaci, kthimi i refugjatëve duket krejtësisht joreal, duket se shteti serb ende nuk ka hequr dorë që serbët që jetojnë në Bosnje, Kosovë, Mal të Zi t’i përdor sikurse edhe më herët: si masë për presion, për të shantazhuar dhe mbajtur peng këto vende. Për të arritur këtë, duhet ndërruar imazhi i refugjatëve. Pasi nuk mund të thuhet se shqiptarët i përzunë serbët pas lufte, po thuhet, se shqiptarët nuk po i lejojnë serbët të kthehen në shtëpitë e tyre. Ja ku i kemi shqiptarët e “këqij” dhe agresorë dhe serbët “e mirë dhe “viktima”.
Në fakt, nga disa media dhe ideologë nuk fshihen as ambiciet që Serbia të jetë strumbullar i një organizimi të ri, shtetëror, i cili serbët prapë do t’i “bashkonte në një shtet”. Për këtë duhet të krijohet energjia sociale dhe sidomos përkrahja ndërkombëtare dhe në këtë funksion propaganda serbe po prodhon edhe “agresorët” dhe “viktimat” e reja.
Qytetarët serbë që ikën nga frika e hakmarrjes, për shkak të krimeve serbe, për shkak të rreshtimit të tyre pas politikës së shtetit serb, po bëhen përpjekje që të “viktimizohen” e madje edhe të shenjtërohen në vend se të punohet bashkërisht që në mes të qytetarëve të komuniteteve të ndryshme të rikthehet besimi, dhe mirëkuptimi. As BE, as Qeveria e Kosovës, e as ajo e Serbisë e cila po deklarohet me orientim evropian, nuk po e ndërpresin keqpërdorimin e qytetarëve serbë, por po bëjnë përpjekje që përmes armës së shtetit sërish të imponojnë marrëdhëniet në mes komuniteteve pa bërë përpjekje serioze që marrëdhëniet në mes tyre të rindërtohen mbi baza të reja.
Kështu, “pelegrinë” nga Serbia, në disa autobusë, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, këto ditë janari ishin në qytetin e “shenjtë” të Gjakovës. Kështu, tash disa vite po përsëritet e njëjta situatë kur në njërën nga lagjet e qytetit, “pelegrinët” serbë po i pret një masë e bashkëqytetarëve të tyre shqiptarë të cilët po protestojnë kundër ardhjes së tyre, ndërkohë që në mes tyre kordoni i njësive speciale të Republikës së Kosovës kujdeset që të mos ketë përleshje. Edhe sivjet, kështu po bëhej përpjekje të mos përsëritet janari i vitit të kaluar.
Në fakt, në Krishtlindjet ortodokse të vitit të kaluar, të provokuar edhe me pjesëmarrjen në këtë “pelegrinazh” edhe e të dyshuarve për krime lufte, protestuesit shqiptarë duke dashur të pengojnë këtë shfaqje politike kishin patën ra në grackën e ngritur mediatike. Kjo shfaqje, përkundër emocioneve të kuptueshme të qytetarëve serbë të cilët duan të kthehen në pronat e tyre, ishte projektuar nga strategët serbë si një përleshje para mediave në mes të “shqiptarëve myslimanë” dhe “serbëve të krishterë”. Kështu, politika serbe synon të fitojë përkrahje nga Evropa e krishterë kundër shqiptarëve myslimanë. Pjesë e kësaj lufte mediatike-politike është edhe fushata anti-UNESCO, ku propaganda serbe ishte angazhuar kundër pranimit të Kosovës në UNESCO, me arsyetimin se shqiptarët myslimanë i kishin djegur kishat serbe dhe se ato mund të i ruanin vetëm serbët, të cilët… sipas kësaj logjike ndihen të sigurt vetëm nëse kthehet edhe ndikimi i shtetit serb në Kosovë…!
Kështu, me këtë qasje të gabuar të BE-së dhe Qeverisë së Kosovës, për përfitime momentale politike, lejuan të bëhen veprime që nuk sjellin normalizim të marrëdhënieve në mes qytetarëve, komuniteteve, aq më tepër i dëmtuan rëndë ato.
Në këso rrethana, në një tentim që përfundimisht të emërohen agresorët dhe serbët “pelegrinë” të viktimizohen, ish-ministri kosovar Jabllanoviq rrëshqiti ”në akull” dhe e theu gjuhën, duke i quajtur protestuesit e revoltuar shqiptar “egërsira” me çka edhe e humbi karrigen.
Nejse, ende nuk është e qartë nëse pat dhënë dorëheqje apo ishte shkarkuar Jabllanoviqi. Sidoqoftë, këto protesta u bënë imazhi i ri i këtij vendi të pafat, i cili po përballet përpos me papërgjegjësinë e sundimtarëve vendas, të pangopur, edhe me vet burokracinë evropiane e cila për arsye strategjike në prioritetet e saj e ka vendosur Serbinë dhe huqet e sajë (para)politike, duke e izoluar kështu Kosovën sikur të ishte i prekur nga kolera.
Kjo situatë ka edhe elemente tragjikomike. Një politikan lokal serb, e shkroi këto ditë një poezi. Për Gjakovën. Pak a shumë e kishte përshkruar si një vend të shenjtë dhe ardhjen e autobusit me qytetarët serb, të ikur qysh në vitin 1999 nga Gjakova, e kishte përshkruar pak a shumë si një pelegrinazh. Aq emocione kishte “derdhur” i shkreti djalë i cili asnjëherë në jetë nuk kishte qenë më parë në Gjakovë (gjithnjë sipas “poezisë” së tij) sa i irritoi edhe vet serbët lokalë.
“Pelegrinazh” edhe sot e kësaj dite, organizohet edhe në Gazimestan, aty ku udhëheqësi serb Millosheviq i kishte sjell një milion serbë nga Serbia për të filluar marshimin i cili përfundoi me disa qindra-mijëra civilë të vrarë, qytete të shkatërruara, dhe e cili fal ndërhyrjes së NATO-s duhej të përmbyllej ligjërisht me Gjykatën e Hagës, ku dha shpirt edhe vet “Fyreri” serb pa e pritur verdiktin.
Orientimi evropian i Serbisë, por edhe Kosovës, duhet të trimërohet nga vetë Bashkësia Evropiane në angazhimin e tyre për përmirësimin e marrëdhënieve dhe rikthimin e besimit në mes të komuniteteve dhe popujve, e jo në krijimin e miteve të reja dhe pelegrinazheve mesjetare apo “(ç)shenjtërimeve” politike.