Kriza që ka kapluar kombëtaren e Brazilit dhe Santos, klubin ku Pele bëri emër, po përjeton një rënie të ndjeshme që, sipas Edinhos, djalit të legjendës së futbollit, do të kishte shqetësuar shumë babain e tij.
Në një intervistë të dhënë pak ditë para përvjetorit të vdekjes së Peles, Edinho ka shprehur shqetësimin për gjendjen e futbollit brazilian.
Ai beson se problemet me ekipin kombëtar nuk kanë lindur papritur, por janë akumuluar me kalimin e kohës.
Kualifikimet e vështira për në Kupën e Botës 2026 dhe pozicioni i gjashtë që Brazili mban aktualisht në klasifikimet e Amerikës Jugore tregojnë për një periudhë sfiduese për ekipin, i cili po përballet me mungesën e yllit Neymar pas një lëndimi të rëndë.
“Nuk ka dyshim, nëse babai (Pele) do të ishte gjallë, ai do të ishte shumë i trishtuar,” është shprehur Edinho, duke theksuar se kjo krizë tashmë e ka prekur edhe klubin e zemrës së Peles, Santosin, të cilin e ka parë të bjerë në divizionin e dytë për herë të parë në historinë e tij 111 vjeçare. /Telegrafi/