Site icon Telegrafi

Pekini mbyll të gjitha shkollat, “përgatitet” për një valë të dytë të coronavirusit

Pekini ka mbyllur klasat për të gjitha shkollat të martën, duke u “përgatitur” për një valë të re të coronavirusit.

Një vendim i tillë, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, hyn në fuqi që ditën e mërkurë.

Sipas Business Insider, kryeqyteti i 20 milionë banorëve kishte kaluar më shumë se 50 ditë rresht pa një rast të ri të regjistruar të COVID-19, sëmundja e shkaktuar nga virusi i ri.

Por fundjavën e kaluar, zyrtarët e qytetit raportuan një grup prej 87 rastesh të reja, raportoi Financial Times, 46 prej tyre ishin asimptomatikë.

Ato raste u shfaqën në Xinfadi, tregu më i madh i prodhimeve dhe ushqimeve të detit në qytet.

Pas kësaj, Xinfadi u mbyll gjatë fundjavës, siç ishin mbyllur edhe disa ndërtesa banimi në anën perëndimore të Pekinit.

Ndërkohë që më shumë se 100 njerëz kanë kaluar në një karantinë 14-ditore.

Si pasojë, ditën e martë, Pekini kishte rishikuar protokollet e sigurisë në të gjithë vendin për një emergjencë të Nivelit III.

Masat e reja kërkojnë që të gjithë në qytet të kontrollohen për ethe përpara se të hyjnë në biznese, të mbyllin trafikun e makinave në zona me rrezik më të lartë dhe të parandalojnë njerëzit të largohen nga komunitetet me rrezik më të lartë.

Ndërkohë që protokollet e Nivelit II mbyllën disa hapësira publike dhe zvogëluan trafikun e këmbësorëve në 30% të kapacitetit të tij normal, sipas Global Times, një media lokale.

Ata gjithashtu inkurajuan punën nga shtëpia dhe kërkuan maska në vendet e mbyllura publike.

Në një konferencë për shtyp të martën në mbrëmje, Chen Bei, zëvendës sekretari i përgjithshëm i qeverisë së Pekinit, njoftoi masat, duke thënë se banorët e qytetit nga zonat me rrezik të mesëm dhe të lartë nuk do të lejohen të largohen nga qyteti, dhe as punëtorët në tregun e Xinfadit.

“Situata epidemike në kryeqytet është jashtëzakonisht e rëndë”, tha Xu Hejian, një zëdhënës i qytetit të Pekinit, në një konferencë shtypi të hënën. “Tani për tani duhet të marrim masa të rrepta për të ndaluar përhapjen e COVID-19”. /Telegrafi/

Exit mobile version