Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzën me marrëveshje mbi pranimin e fajësisë kundër të pandehurit L.A. për vepër penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve” nga neni 214 i Kodit Penat të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, i pandehuri L.A. më 11 qershor 2017 në shkollën fillore “Asdreni” në Pejë, si person zyrtar dhe atë si koordinator i vëzhguesve të njërit nga subjektet politike pjesëmarrëse në zgjedhje, duke keqpërdor pozitën apo autoritetin e tij, këshillon votuesit që të votojnë në favor të subjektit politik që ai përfaqësonte, ashtu që i pandehuri fillimisht i jap dëshmitarit N.M. një kopje të fletëvotimit se cilët kandidatë dhe subjekt politik të votojë, ndërsa më pas i njëjti ndalohet nga Policia e Kosovës të cilët në çantën e të pandehurit gjejnë dhe sekuestrojnë gjashtë kopje të pa plotësuara të fletëvotimeve.
I pandehuri me këto veprime duke keqpërdor pozitën, detyrën dhe autoritetin e tij, si person zyrtar ka përmbushur elementet e veprës të përshkruar sikur më lart.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurin ta shpall fajtorë dhe ta dënojë sipas ligjit.