Mbi 8 kilogramë substancë e dyshuar narkotike i janë gjetur një qytetari në shtëpinë e tij në Pejë.
Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar sot personin e dyshuar me inicialet Z. K., i lindur më 1967, dhe i njëjti është dërguar në ndalim policor për 48 orë.
“Njësiti policor i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN)-Pejë, pas një pune operativo-hetimore disa ditore, ka arritur të sigurojë informacione të sigurta se një i dyshuar posedon substanca të dyshuara narkotike të llojit marihuanë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Pasi policia ka siguruar urdhër-kontrollin, ka bastisur shtëpinë dhe pronën e të dyshuarit, ku i janë gjetur dhe sekuestruar si provë materiale: substancë narkotike: 8 kg e 319.6 gr., një peshore digjitale, një brisk, lidhëse plastike, foli najloni të tejdukshëm për paketim, qese plastmasi, formati 300×400 për paketim dhe një telefon.
Sipas Policisë, Z.K. 50 vjeçar, do të përgjigjet për veprimet ‘blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge. /Telegrafi/