Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit për një periudhë 30-ditore ndaj të dyshuarit K.S., nga Peja, për shkak të dyshimit të bazuar për veprën penale “Ngacmimi”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, ky kërkesë është paraqitur për shkak të veprimeve të dyshuara të të akuzuarit gjatë vitit 2025, në komunën e Shtimes.
“Ekziston dyshimi i bazuar se gjatë vitit 2025, i pandehuri me dashje dhe në vazhdimësi është përfshirë në sjellje të vëmendjes së padëshirueshme, duke e vënë nën vëzhgim me qëllim të ngacmimit të dëmtuarën V.Z., me të cilën ka qenë në lidhje dashurie,” ka theksuar Prokuroria.
Si pjesë e ngacmimit, i pandehuri është akuzuar se ka vendosur dy GPS në veturën personale të dëmtuarës dhe ka hapur një llogari në rrjetin social “Instagram” në emër të saj, ku ka postuar fotografi të ndryshme me mbishkrime denigruese.
Po ashtu, i dyshuari ka shpërndarë informacione të tilla si numri i telefonit dhe adresa e banimit të dëmtuarës, duke paraqitur se ajo ofron shërbime seksuale me pagesë.
“Si rrjedhojë e këtyre veprimeve, të dëmtuarën e ka vë në shqetësim të madh emocional,” shton Prokuroria.
I dyshuari K.S. që nga data 08 Mars 2025, është ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorit të Shtetit për veprën penale “Ngacmimi”.
Prokuroria ka kërkuar që ai të mbahet në paraburgim për 30 ditë për të parandaluar mundësinë e ndikimit në procesin hetimor dhe për t’u siguruar që ai nuk do të arratiset. /Telegrafi/