Nënkampionja e Kosovës në basketboll, Peja, po vazhdon të përforcohet pas zyrtarizimit të trajnerit dhe të huajit të parë ditë më parë.
Skuadra e Pejës ka arritur marrëveshje me basketbollistin amerikan Lamarcus Reed, ka bërë të ditur vetë klubi verdhezi, në një njoftim të saj.
Reed 28 vjeç është lojtar i pozitës 2-3 dhe së fundi ka qenë pjesë e KTP Basket në Finlandë, ku ka pasur mesatare prej 14.8 pikëve për ndeshje, 5.3 kërcimeve dhe 1.4 asistimeve për ndeshje.
Lojtari në fjalë ka tentuar të jetë pjesë e NBA-së në vitin 2012, kur ka marrë pjesë në Pro Summer League të NBA-së.
Më parë, Reed ka luajtur për Antwerp Giants në Belgjikë, Etha në Qipro, Aris në Greqi dhe Lulea në Suedi.