Telegrafi

Peja triumfon thellë dhe me lehtësi në derbi ndaj Bashkimit

Peja ka shënuar fitore të thellë ndaj Bashkimit me rezultat 103: 80 (31:20, 18:16, 33:28, 21:16), në derbin e madh të vlefshëm për javën e 25-të në Superligën e Kosovës në basketboll.

Klubi pejan ka arritur të marr një fitore të madhe para tifozëve të vet në “Karagaq”, duke e mposhtur me lehtësi një rival të madh si Bashkimi.

Peja e nisi ndeshjen shumë mirë, duke fituar periodën e parë me rezultat 31:20, kurse edhe në të dytën arritën të fitojnë ngushtë 18:16, për të shkuar në pushim me rezultat 49:36.

“Shqiponjat” vazhduan me lojë të mirë edhe në çerekun e tretë duke fituar 33:28, ndërsa 10 minutat e fundit nuk ndryshuan shumë rezultatin (21:16) dhe Peja fitoi në fund me rezultat 103:80.

Dardan Berisha ishte më i dalluari te Peja me 25 pikë, katër kërcime e pesë asistime, derisa te Bashkimi më i dalluari ishte Terik Bridgeman me 18 pikë e katër kërcime.

/Telegrafi/