Site icon Telegrafi

Peja do të ndërtoj impiant milionësh për trajtimin e ujërave të zeza

Sektori i ujit të Kosovës përfiton nga një projekt i madh për trajtimin e ujërave të zeza: Qeveria Zvicerane, Republika Federale e Gjermanisë, përmes KfW-së, Qeveria e Kosovës dhe Komuna e Pejës bashkojnë forcat për të ndërtuar një Impiant të Ri për Trajtimit e Ujërave të Zeza në Pejë.

Qeveria e Republikës së Kosovës së bashku me Qeverinë Federale të Gjermanisë përmes KfW-së, Qeverinë e Konfederatës Zvicerane përmes SECO-së, Komunën e Pejës, si dhe Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “HIDRODRINI” në Pejë, nënshkruan sot Marrëveshjen për Mënjanimin e Ujërave të Zeza në Jugperëndim të Kosovës-Faza IV, respektivisht për Komunën e Pejës, e cila marrëveshje është në shumën prej 16.6 milionë euro për të mbështetur përmirësimin e sistemit të ujërave të zeza në Pejë.

Në emër të Qeverisë së Kosovës nënshkrimi i marrëveshjes u bë nga ministri i Financave Avdullah Hoti, në emër të Qeverisë Federale të Gjermanisë nga drejtori për Evropën Juglindore dhe Turqinë në KfW Christoph Tiskens, në emër të Qeverisë së Konfederatës Zvicerane nga drejtori i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë Patrick Etienne, në emër të Komunës së Pejës nga kryetari i Komunës Gazmend Muhaxheri, si dhe në emër të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “HIDRODRINI” në Pejë nga drejtori gjeneral Agron Tigani.

Kostoja e përgjithshme e vlerësuar për projektin llogaritet të jetë rreth 25 milionë euro. Financimi përbëhet nga një grant prej 8 milionë euro nga Qeveria e Zvicrës, 9 milionë euro grant në kuadër të Bashkëpunimit Financiar Gjerman dhënë nga KfW-ja. Ndërsa fondet e mbetura për projektin do të sigurohen nga Republika e Kosovës dhe Komuna e Pejës.

Ky projekt është një nga investimet më të mëdha në sektorin e ujërave të zeza në Kosovë. Projekti nuk është i rëndësishëm vetëm për qytetin e Pejës, por ka efekt ndërkufitar për të gjithë vendin ku përbëhet nga komponentët kryesore: ndërtimi i Impiantit për Trajtimin e Ujërave të Zeza, ndërtimi i një kolektori të ri dhe rehabilitimi i kolektorit të vjetër në qytet. Për më tepër, projekti përmban masa për rehabilitimin e rrjetit të ujërave të zeza në pikat kritike në qytetin e Pejës.

Impianti për Trajtimin e Ujërave të Zeza do të ketë kapacitet ekuivalent për 60 000 banorë.

Projekti është një prioritet i lartë në kompaninë e ujit dhe Republikën e Kosovës. Projekti do të mbrojë lumin Drin në Pejë si dhe do të bëjë të mundur që Kosova të bashkoj nismat ndërkufitare.

Angazhimet e Qeverisë Gjermane për Bashkëpunim Financiar gjatë 17 viteve të fundit për Kosovën arrijnë në rreth 320 milionë euro dhe përqendrohen në mbështetjen e infrastrukturës komunale, sektorin financiar dhe të energjisë. Sektori komunal i infrastrukturës është një segment kryesor në kuadër të Bashkëpunimit Financiar Gjerman me Kosovën. Bashkëpunimi përqendrohet në nevojën për investime afatgjata në ndërtimin e impianteve të reja të ujit dhe ujërave të zeza, rehabilitimin e rrjetit urban, ndërtimin e rezervuarëve, instalimin e pompave, dhe mbrojtjen e burimeve ujore. /Telegrafi/

Exit mobile version