Site icon Telegrafi

Peja synon t’ia bëjë sefte në Ligën Ballkanike

Ndeshja do të zhvillohet nga ora 19:00 në palestrën e nxehtë të Karagaçit, ku mbi 2000 Shqiponja do të përkujdesen për një atmosferë të jashtëzakonshme dhe një përkrahje të madhe për skuadrën e tyre të zemrës.

Peja deri tani ka humbur katër ndeshje në Ligën Ballkanike dhe sonte e ka rastin më të mirë për t’ia bërë sefte fitoreve. Verdhezinjtë janë të motivuar nga fitorja e fundit ndaj Sigal Prishtinës dhe në këtë ndeshje do të japin gjithçka nga vetja. Këtë gjë e pohon edhe basketbollisti Drilon Hajrizi.

“Jam plotësisht i bindur që në ndeshjen e sotme do të arrijmë fitoren e parë. Kemi treguar një formë mjaft të lartë në ndeshjet e fundit sidomos ndaj Sigal Prishtinës. Kemi pasur paksa problem derisa jemi komponuar por tashmë besoj se jemi të gatshëm maksimalisht për fitore. Fatmirësisht lëndime nuk kemi dhe të gjithë jemi në dispozicion të trajnerit”, ka thënë Drilon Hajrizi për Zërin.

Në formacionin e pejanëve siç e dini tashmë mungojnë Mirza Ahmetbasic dhe Vedran Morovic që u larguan javën që shkoi, mirëpo dje nëpër disa media ka qarkulluar se klubi është përforcuar me amerikanin Charron Fisher, megjithatë një burim i Telegrafit pranë kryesisë së klubit ka bërë të ditur se ende nuk kanë nënshkruar me lojtarin pasi që kanë hasur në disa probleme. Ndeshja do të transmetohet direkt në RTV21. /Telegrafi/ 

Exit mobile version