Ndeshja mes Pejës dhe Ballkanit të Bullgarisë zhvillohet sonte në palestrën ‘Karagaçi’ me fillim nga ora 19:00. Numri i të pranishmëve pritet të jetë si gjithmonë masiv për t’i përkrahur verdhezinjtë drejt një fitoreje eventuale.
“Pres që vitin e ri ta nisim me fitore. Na duhet kjo fitore, pasi edhe rrisim gjasat për kualifikim në rrethin tjetër. Pres të luajmë një lojë të fortë dhe së bashku me tifozët t’i gëzohemi triumfit”, u shpreh amerikani Fredercik House për Kohën Ditore.
“Nuk do të jetë lehtë, por ne jemi të përgatitur mirë dhe nuk duam ta nisim këtë vit me humbje në shtëpi. Jemi maksimalisht të motivuar”, shtoi ai.
Verdhezinjtë në këtë ndeshje do të luajnë pa George Odufuwan, Vigan Radonin dhe Valdet Grapcin. Por, edhe me këtë mungesa, plejmejkeri Samir Shaptahu beson në fitore. Ai thotë se Peja duhet ta mposhtë skuadrën e Ballkanit, të cilën e llogarit rivale direkte në kualifikim për Play-Off.
“Na pret një lojë shumë e vështirë për shkak se kemi probleme me lëndime dhe si pasojë e kësaj nuk mund të llogarisim në Odufuwan, Radonin e Grapcin”, është shprehur Shaptahu. “Por, unë jam optimist dhe kam besim në ekipin tonë. Pres të shënojmë fitore, pasi patjetër duhet ta mposhtim Ballkanin për shkak se është konkurrenti ynë kryesor për Play-Off”.
Ndryshime në skuadër
Skuadra e Pejës në prag të ndeshjes me Ballkanin pritet t’i zyrtarizojë edhe disa ndryshime në ekip. Këtë e ka konfirmuar edhe kryetari i klubit, Art Gashi. “Grapcit i kemi ofruar postin e menaxherit të ekipit dhe po presim një përgjigje nga ai. Ndërsa, Breca ka kërkuar të largohet për shkak të disa obligimeve familjare”, është shprehur Gashi për gazetën. /Telegrafi/