Kjo ndeshje nuk ngjau me një derbi të vërtetë siç jemi mësuar të shohim kur këto dy skuadra janë ndeshur më parë, pasi që në palestër nuk kishin ardhur shumë shikues, përveç disa Shqiponjave të cilët brohorisnin pa pushim, e kjo shikueshmëri e vogël erdhi si pasojë e shtrenjtimit të biletave në 3 euro, gjë e cila nuk i kënaqi tifozët pejanë dhe vendosën të mos vijnë në shenjë proteste.
Të dyja skuadrat u shfaqën të përgatitura mirë fizikisht dhe e testuan njëra tjetrën shumë gjatë çerekun të parë, mirëpo dallohej kryesisht përforcimi i Trepçës, amerikani Robert Goff, i cili ishte pothuajse i pandalshëm duke shënuar më shumë se gjysmën e pikëve të ekipit të tij. Sidoqoftë, çereku i parë ishte i baraspeshuar dhe përfundoi baras, 18-18.
Peja e dërrmoi Trepçën në pjesën e dytë me aksionet e tyre të shpejta, e sidomos me trepikëshat e Samir Shaptahoviqit dhe shënimet e njëpasnjëshme të Mirza Ahmetbasic. Kësisoj, pejanët edhe arritën të krijojnë një epërsi të lartë prej 16 pikëve para pushimit të pjesës së parë, 47-31.
Të freskuar dhe të relaksuar pas pushimit, pejanët vazhduan dominimin e tyre edhe në çerekun e tretë dhe vetëm sa shkuan duke e ngritur epërsinë në 20 pikë, 67-47.
Në çerekun e katërt në skenë u shfaq kroati Vedran Morovic me disa aksione spektakolare që e ngriti publikun në këmbë, teksa iu dha rasti edhe Fahri Brecës dhe Endrit Hysenagollit që të bënin debutimin e tyre. Peja e mbajti epërsinë e saj prej 20 pikëve deri në fund të këtij takimi, 83-63, dhe kështu iu gëzua fitores së dytë në këtë edicion.
Koshashënuesi më i mirë i këtij takimi ishte Robert Goff me 21 pikë, teksa te Peja më i dalluari qe Mirza Ahmetbasic me 18 sosh. /Telegrafi/
Koshashënuesit më të mirë të Pejës | ||
1 | Mirza Ahmetbasic | 18 pikë |
2 | Samir Shaptahoviq | 17 pikë |
3 | Drilon Hajrizi | 9 pikë |
4 | George Odufuwa | 9 pikë |
Koshashënuesit më të mirë të Trepçës |
||
1 | Robert Goff | 21 pikë |
2 | Arian Tahiri | 9 pikë |
3 | Korab Prekazi | 9 pikë |
4 | Valdrin Haxhiu | 9 pikë |