Palestra e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë asnjëherë më parë nuk ishte mbushur aq shumë nga Plisat të cilët kishin ardhur të organizuar jashtëzakonisht mirë. Dhe si befasi, ata kishin përgatitur një koreografi të shkëlqyer për rivalët kryesorë, Pejën dhe Trepçën, të cilët e shikonin në televizor Sigal Prishtinën duke luajtur në Ligën Ballkanike.
Bardhekaltërit e filluan ndeshjen me një entuziazëm të lartë e një mbështetje të jashtëzakonshme prej Plisave dhe menjëherë krijuan epërsi, por më pas pejanët u kthyen në lojë dhe e përmbyllën çerekun e parë me një pikë epërsi, 18-19.
Në çerekun e dytë Sigal Prishtina u rikthye fuqishëm në lojë pas disa aksioneve të shpejta, me ç’rast edhe u shkëput në rezultat, 37-27.
Në çerekun e tretë ishte Peja ajo që i ndezi motorët dhe u rikthye në lojë me një seri prej 10-0, fillimisht për ta barazuar rezultatin, gjersa vazhdoi me këtë ritëm deri në përmbyllje të këtij çereku me një pikë epërsi, 43-44.
Peja me shumë mençuri luajti edhe në çerekun e katërt dhe kështu dalë nga dalë shkoi drejt fitores plotësisht të merituar, 58-66.
Koshashënuesit më të mirë të Sigal Prishtinës | ||
1 | Julian Terrell | 18 pikë |
2 | Edmond Azemi | 11 pikë |
3 | Akida McLain | 9 pikë |
4 | Fahri Breca | 7 pikë |
Koshashënuesit më të mirë të Pejës | ||
1 | Dardan Berisha | 27 pikë |
2 | Samir Shaptahoviq | 10 pikë |
3 | Valdet Grapci | 6 pikë |
4 | Ersid Luca | 5 pikë |
/Telegrafi/