Telegrafi

Peja proteston kundër ndalimit të Haradinajt

Sot në qendrën e qytetit të Pejës, është mbajtur një protestë me anë të së cilës u kundërshtua ndalimi i ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj nga autoritetet franceze.

Në këtë tubim kanë marrë pjesë qindra qytetarë të Pejës, ku më një fjalë rasti para qytetarëve është paraqitur edhe kryetari i degës së AAK-së në Pejë, Fatmir Gashi, i cili ka thënë se lufta çlirimtare ka qenë luftë për liri dhe pavarësi.

Sipas tij, ish – kryeministri i Kosovës dhe ish- komandanti i UÇK-së, Ramush Haradinaj, i është përgjigjur me dinjitet drejtësisë ndërkombëtare, ku për dy herë radhazi e dëshmoi pafajësinë e tij në Gjykatën e Hagës.

“Ndalimi i Haradinajt në shtetin francez është i papranueshëm dhe i çuditshëm, ai është ndër figurat më të shquara të Kosovës, që angazhohet me vendosmëri për mirëqenien e çdo qytetari të Kosovës. Prandaj ne sot si të gjithë shqiptarët protestojmë fuqishëm kundër ndalimit të tij”, ka theksuar Gashi.

Para masës së protestuesve ka folur edhe ish – ministri në Qeverinë e Kosovës nga radhët e komunitetit boshnjak, Numan Baliç, i cili ka thënë se ata si komunitet e dënojnë ndalimin e ish-komandantit të UÇK-së dhe ish- kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. /Telegrafi/