Te premten (sot) Peja luan kundër Trepçës në kuadër të xhiros së 14-të të Superligës së Kosovës, kurse një ditë më vonë përballet me Kerasan Prishtinën në ndeshjen për Kupë.
Të dyja këto ndeshje Peja i zhvillohen në palestrën e sporteve "Karagaçi" në Pejë, ndonëse me skuadrën e Trepçës do të jetë në cilësinë e mysafires, shkruan sot Koha Ditore. Në këto ndeshje do të futet pas fitores së re në Ligën Ballkanike, meqë të mërkurën triumfoi në Tivat ndaj Teodos (95:91), shkruan kohaditore.
Peja është skuadra e vetme në Superligë që nuk di për humbje këtë edicion. I prin tabelës me 11 fitore në po aq ndeshje të zhvilluara. Në të vërtetë, Peja në të gjitha garat këtë edicion, në 18 ndeshje ka vetëm një humbje. Është mposhtur nga skuadra e Bashkimit në xhiron e parë të këtij edicioni të Ligës Ballkanike, në kuadër të Grupit B. Më pas ka radhitur pesë fitore në BIBL, që e bën skuadrën më të mirë të grupit të saj.
"Natyrisht, se do të mundohemi t’i fitojmë edhe këtë dy ndeshje për ta mbyllur një gjysmëstinor fantastik. Ishte i suksesshëm për shkak se kemi pësuar vetëm një humbje befasuese, e cila si duket na motivoi për të pasur një ecuri shumë të mirë të rezultateve me të cilën jemi të kënaqur", ka thënë basketbollisti Drilon Hajrizi. "Kemi treguar karakter dhe do të mundohemi ta mbajmë këtë ritëm edhe gjatë pjesës së dytë. Synojmë që në të gjitha garat të ngjitemi sa më lart dhe nëse na jepet rasti, atëherë të marrim edhe trofe. Me rëndësi është për ne që në plejof të futemi me përparësinë e terrenit vendas".