Salla Karagaçi ishte mbushur përplot me ‘Shqiponjat’, të cilët e ‘kallën’ atmosferën gjatë tërë takimit.
Çerekun e parë shumë mirë e nisën mysafirët e ardhur nga Prizreni, të cilët ishin të pandalshëm në sulm, duke e mbyllur kështu çerekun me 10 pikë epërsi, 20:30. Në çerekun e dytë, Peja u kthye në lojë me një mbrojtje shumë të mirë dhe agresive që u ndihmoi vendasve ta kthejnë epërsinë në anën e tyre, 44:43.
Në çerekun e tretë, pejanët hynë shumë më të konsoliduar dhe më të përqendruar. Dardan Berisha u ‘ndez’ me trepikëshat e tij, për ta ngritur epërsinë në nëntë pikë, 66:57.
Në çerekun e fundit, mund të thuhet se u zhvillua një nga përballjet më të mira të këtij stinori në basketbollin kosovar. Me fillim të këtij çereku u lëndua Dardan Berisha, i cili u desh ta lëshojë fushën menjëherë. Mungesa e tij u vërejt shpejtë pasi prizrenasit arritën ta shkrijnë epërsinë dhe të kthehen në lojë.
Një minutë pa përfunduar ndeshja, kur rezultati ishte 73:73, Gerti Shima doli në skenë me dy aksione alla Koby Bryant, duke i bërë dy ngulitje spektakolare që i çuan Shqiponjat e Pejës në delirium. Sfida përfundoi me rezultat, 81-76 për vendasit.
Për Pejën më të dalluarit në fushë ishin Dardan Berisha me 25 pikë dhe Gerti Shima që ishte më meritori për këtë fitore me 22 pikë. Ndërsa për Bashkimin u dalluan dy basketbollistët e huaj, Kejuan Johnson me 22 pikë dhe Mark Dawson me 21 sosh. /Telegrafi/