Site icon Telegrafi

Peja në finale

Palestra “Sezai Surroi” ishte e ndezur më shumë se kurrë më parë me një atmosferë sensacionale dhe brohoritje të pareshtura të Arpaxhikëve dhe Shqiponjave që kishin ardhur nga Peja.

Çerekun e parë të dyja skuadrat luajtën me shumë tension dhe nervozizëm, gjë që u vërejt në fazën e sulmit ku pat shumë gabime, por megjithatë pejanët me trepikëshat e tyre krijuan një epërsi solide, 8-15.

Çereku i dytë i takoi të rikthyerit nga lëndimi, Blerim Mazrekut, i cili ishte i pandalshëm në trapez me 10 pikë, duke ia mundësuar kështu ekipit të tij që ta ruajë epërsinë, 29-34.

Me lojën e mirë të Muhamed Hasanit dhe trepikëshat e Rokas Uzas, vendasit e dominuan çerekun e tretë dhe kështu dolën në epërsi për herë të parë në këtë takim, 54-46.

Në çerekun e katërt u zhvillua luftë për çdo top në parket. Peja i konsolidoi radhët e veta dhe ia doli të kthehej në lojë. Tetë sekonda pa përfunduar takimi, në skenë doli Dardan Berisha me një trepikësh për ta dërguar ekipin e tij në finale, 63-64

Peja tani do të takohet në finale me Sigal Prishtinën e cila të enjten e mposhti Trepçën në gjysmë-finalen e parë.

Koshashënuesit më të mirë të Sigkos Bashkimit
1 Rokas Uzas 18 pikë
2 Kejuan Johnson 14 pikë
3 Muhamed Hasani 10 pikë
4 Mark Dawson 10 pikë

 

 

Koshashënuesit më të mirë të Pejës

1 Blerim Mazreku 20 pikë
2 Dardan Berisha 15 pikë
3 Alban Veseli 13 pikë
4 Samir Shaptahoviq 10 pikë

 

/Telegrafi/

Exit mobile version