Telegrafi

“Peja mirëpret Panairin Tradicional: Përkrahje për bizneset lokale dhe promovim turistik

Drejtoria i Zhvillimit Ekonomik në Pejë, ka njoftuar për fillimin e Panairit Tradicional “Qëndro për fundjavë përjetoje Pejën”,  i cili do të fillojë sot në orën 18:00.

Ky panair, i cili është shndërruar në një ngjarje të rëndësishme në Pejë dhe në të gjithë Kosovën, synon të mbështesë agrobizneset dhe produktet vendore.

Sipas drejtorit të Zhvillimit Ekonomik të kësaj komune, Nasret Hajrizi i cili për Telegrafin ka thënë se të gjitha përgatitjet janë kryer dhe me anë të tij synohet prezantimi dhe ndihma  bizneseve të cilat merren kryesisht me agrokulturë.

“Panairi do të fillojë sot, i cili është një panair tradicional nisur vite më herët dhe që është shndërruar në tradicional. Do të ketë aktivitete të ndryshme në të, do të fillojë nga ora 18:00 me hapjen dhe do të përfshijë prezantimin e mbi 20 bizneseve, kryesisht agrobiznese dhe biznese të cilat kanë nevojë të ju ndihmojnë”, tha Hajrizi.

Ai ka theksuar se panairi është organizuar për të mbështetur bizneset që përballen me vështirësi dhe për të ndihmuar në ruajtjen e ekzistencës së tyre.

“Ne si komunë dhe si drejtori e zhvillimit ekonomik e kemi parë të nevojshme që në një formë të organizojmë një panair të tillë për të ndihmuar sado pak këto biznese”, shtoi Hajrizi.

Po ashtu Hajrizi ka thënë se në panair do të prezantohen produkte artizanale dhe agrobiznese, me pjesëmarrës të tjerë nga biznese të ndryshme, por fokusi kryesor do të jetë tek agrobizneset dhe produktet vendore.

“Do të prezantohen produkte artizanale, agrobiznese dhe do të ketë edhe pjesëmarrës të tjerë të bizneseve të tjera, por kryesisht do të përfaqësohen agrobizneset dhe produktet vendore, ka thënë Hajrizi për Telegrafin.

Panairi nuk do të jetë vetëm një ngjarje biznesi, por edhe një mundësi për argëtim, sipas Hajrizit në mbrëmje, do të ketë muzikë argëtuese për të gjithë vizitorët, sidomos për bashkatdhetarët që ndodhen në qytet gjatë kësaj periudhe.

Ky panair ka ndihmuar gjithashtu në promovimin e Pejës si një destinacion turistik i denjë për vizitë dhe investime, veçanërisht për turizmin malor.

“Ne mendojmë se këto panaire do të ndihmojnë për atë arsye edhe kemi hyrë në këtë fazën e organizmit të panairit dhe këtë panair e kemi shndërruar në tradicional, përveç që do të ju ndihmojë bizneseve, do të ndihmojë edhe promovimin e Pejës si qytet turistik dhe qytet që ja vlen të vizitohet dhe investohet”, është shprehur Hajrizi./Telegrafi/.