Pas triumfit ndaj Sigal Prishtinës, skuadrës së Pejës i është kthyer vetëbesimi dhe paralajmëron se mund ta rrëmbejë titullin e Kampionit të Kosovës për këtë edicion. Kështu ka thënë të hënën basketbollisti Fisnik Rugova.
Peja, të dielën mbrëma, në palestrën “Karagaçi” mposhti Sigal Prishtinën me rezultatin 94:80 në kuadër të xhiros së 25-të të Kampionatit të Kosovës në basketboll. Në këtë fitore, Rugova ishte më efikasi, pasi realizoi “double-double” prej 27 pikëve dhe 15 kërcimeve.
Për Pejën kjo ishte fitorja e parë gjatë këtij viti përballë Sigal Prishtinës, e cila vinte nga një seri prej katër fitoreve rresht në të gjitha garat. Me këtë fitore, Peja do të jetë kampione e pjesës së rregullt të Superligës dhe në garat e plejofit do të futet me përparësinë e terrenit vendas.
Aktualisht, bilanci mes Pejës dhe Sigal Prishtinës në këtë edicion është i barabartë në tetë ndeshje të zhvilluara. Të dyja skuadrat kanë nga katër fitore, përfshirë edhe ndeshjen e Superkupës që e hapi edicionin 2015/16, shkruan kohaditore.
“Jam munduar ta ndihmoj ekipin jo vetëm në këtë ndeshje, por në të gjitha ndeshjet. Kam shfrytëzuar minutazhin në mënyrën më të mirë të mundshme dhe jam i kënaqur me formën time aktuale, e cila shpresoj se do të vazhdoj deri në fund të këtij edicioni”, është shprehur Rugova, duke shtuar se me këtë fitore ndaj Sigal Prishtinës, Peja i ka dhënë fund edhe minikrizës nëpër të cilën ka kaluar.