Site icon Telegrafi

Peja i kthehet fitoreve

Në palestrën ‘Karagaçi’ në Pejë nuk kishin ardhur shumë shikues siç jemi mësuar të shohim zakonisht, dhe kjo paksa e zbehi rëndësinë e kësaj ndeshjeje, që u shqua si kryesorja e kësaj jave.

Sidoqoftë, basketbollistët pejanë që në start të takimit u shfaqën tejet të uritur për fitore, pas dy humbjeve radhazi nga Sigal Prishtina dhe KK Kozuv. Me lojë të shpejtë dhe aksione efikase arritën ta përmbyllin çerekun e parë me gjashtë pikë epërsi, 19-13.

Ky avaz i pejanëve vazhdoi edhe në çerekun e dytë, ku edhe eksploduan duke shënuar shumë trepikësha, mirëpo lejonin shumë hapësira në mbrojtje për Teleboysat, të cilët shënonin me kundërsulme të shpejta. Megjithatë, Peja vetëm sa e ngriti epërsinë në 11 pikë (41-30).

Në çerekun e tretë dhe të katërt skuadra mysafire u dorëzua përballë një Peje të palodhshme e cila deri në përfundim të ndeshjes e ngriti epërsinë në 15 pikë, 73-58, ishte rezultati përfundimtar.

Te Peja më së shumti u dallua Samir Shaptahoviq me 18 pikë, teksa për RTV 21-shin më shumti pikë shënoi Brandon Jenkins (20).

Në ndeshjen tjetër që u zhvillua sot, KB Bashkimi e ka mposhtur me lehtësi KB Kastriotin, me rezultat përfundimtar 101-72. /Telegrafi/

Exit mobile version