Telegrafi

Peja me fitore të thellë ndaj Vëllaznimit

(Foto: basketbolli.com/KB Peja/Korniza)

Peja ka shënuar fitore ndaj Vëllaznimit 93-63 (27:17, 29:12, 15:22, 22:12), në kuadër të javës së 28-të në Five Star Superliga apo ndeshja e fundit për garat e rregullta.

Peja renditet në vendin e katërt, ku në çerekfinale të ‘play-offit’ do të përballet me Sigal Prishtinën, kurse Vëllaznimi renditet në vendin e fundit, duke rënë një kategori më poshtë.

Kjo ndeshje nuk ishte vendimtare për të dy skuadrat, andaj u zhvillua një përballje pa shumë presion. Verdhezinjtë e nisën ndeshjen më mirë, duke e fituar çerekun e parë 27:17.

Vendasit vazhduan me lojë të mirë edhe në periodën e dytë, duke qenë më të mirë se mysafirët, ku periodën e dytë e fituan 29:12, duke shkuar në pushim me rezultat 56-29.

Periudha e tretë ishte më e barabartë, madje në fakt, mysafirët ishin paksa më të mirë, duke e fituar këtë pjesë 15:22, derisa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 71:51.

Në 10 minutat e fundit, prapë Peja ishte më e mirë, 22:12, duke triumfuar në fund me 30 pikë epërsi 93-63.

Te Peja u dallua Brandon Walters me 30 pikë e 15 kërcime, kurse te Vëllaznimi u dallua Emmaneul Emogbo me 16 pikë e nëntë kërcime.