Palestra Karagaçi nuk ishte mbushur përplot siç jemi mësuar ta shohim, mirëpo gjithsesi edhe sonte ishte i pranishëm një numër i madh i shikuesve për ta përkrahur skuadrën e tyre.
Vendasit e nisën më mirë çerekun e parë dhe me meritë e përmbyllën atë me tetë pikë epërsi, 29-21. Megjithëse skuadra e Bashkimit filloi të këndellej në çerekun e dytë dhe i bëri ballë mjaft mirë furisë së verdhë. Pjesa e parë e takimit përfundoi me rezultat 56-45 në të mirë të pejanëve.
Pushimi si duket u bëri mirë mysafirëve të cilët e filluan çerekun e tretë me një lojë tejet të fortë dhe të mençur që i zuri pejanët në gjumë. Skuadra prizrenase ishte duke dominuar këtë çerek me rezultat 23-15, mirëpo në sekondën e fundit Samir Shaptahu shënoi trepikëshin e pestë të tij për ta ruajtur epërsinë e pejanëve, dhe rezultati u përafrua në 74-68, gjersa gjithçka mbeti për t’u vendosur në çerekun e katërt.
Shaptahu vazhdoi formën e shkëlqyer të tij edhe në çerekun e katërt për ta udhëhequr skuadrën verdhezi drejt fitores së parë në play-off me rezultat 104-99.
Samiri ishte më i miri në ndeshje me 36 pikë të shënuar, prej tyre shtatë trepikësha, ndërsa te Bashkimi më i miri ishte Aaron Mitchell me 28 pikë.
Nesër në kryeqytet zhvillohet gjysmëfinalja tjetër e play-offit mes Sigal Prishtinës dhe Trepçës me fillim nga ora 17:15./Telegrafi/