Telegrafi

Peja fiton derbin ndaj Trepçës – vazhdon pa humbje

Peja e ka fituar derbin e xhiros së tretë në Superligën e Kosovës.

Me një rrjedhë maratonike të minutazhit, pasi gjyqtarët vendosën dy herë për përjashtimin e publikut, Peja triumfoi në fund me shifrat 92-80.

Ekipi vendas fitoi dy periodat e para (27-16, 18-16), duke mbyllur pjesën e parë me rezultat 45-32, derisa edhe çereku i tretë i takoi ekipit verdhezi, por më ngushtë (25-24).

Në periodën e fundit nuk pati ndonjë befasi me Trepçën që e fitoi minimalisht (22-24), derisa në fund pejanët iu gëzuan fitores.

Jay Jay Chandler sonte ishte i pandalshëm te Peja dhe bëri performancën e sezonit me plotë 39 pikë e pikë dyshifrore realizuan edhe Jacob Calloway me 13 dhe Arian Qallaku me 11 sosh.

Te Trepça ishin të pamjaftueshëm për fitore, Kevin Bracy-Davis me 28 pikë e Mikaile Tmushiq me 19 sosh.

Pas tri xhirove, Peja mbetet ekipi i parë në tabelë me 3 fitore nga 3 ndeshje, derisa Trepça ka 2 fitore e 1 humbje.

Në vikend, Peja i shkon Yllit e Trepça e pret Vëllaznimin./Asisti/