Telegrafi

Peja fiton derbin e basketbollit ndaj Trepçës

(Foto: basketbolli.com)

Peja ka triumfuar në derbin e javës së 26-të në Superligën e Kosovës në basketboll duke mundur Trepçën me shifrat 70-73 (23:18, 13:20, 16:25, 18:10).

Çereku i parë ishte kryesisht i barabartë me vendasit që kishin epërsi të lehtë, ndërsa e fituan këtë pjesë 23:18. Megjithatë, pejanët kundërpërgjigjen shpejt, ku arritën të shkrijnë epërsinë dhe në pushim shkuan me dy pikë në favor të tyre, 36-38.

Loja e mirë e verdhezinjve vazhdoi në periodën e tretë, ku filluan shkëputjen në “Minatori”, ndërsa shifrat pas 30 minutash ishin 52:63. Vendasit luftuan deri në fund, por nuk arritën më shumë përveçse të afrojnë shifrat në 70-73, sa ishte rezultati përfundimtar i kësaj sfide.

Te vendasit u dallua Jamel Artis me 19 pikë e nëntë kërcime, kurse te mysafirët u dalluan Brad Waldow me 11 pikë e 20 kërcime dhe Arti Hajdari me 17 pikë.

Trepça numëron 15 fitore e 11 humbje, kurse Peja 19 fitore e shtatë humbje.