Site icon Telegrafi

Peja fiton me 28 pikë diferencë ndaj Rahovecit

KB Peja nuk ka pasur telashe në përballjen kundër KB Rahovecit në kuadër të Superligës së Kosovës në basketboll. Në takimin e zhvilluar në palestrën sportive “Shani Nushi” në Gjakovë, vizitorët fituan me rezultat 91-63.

Skuadra që kishte epitetin e mysafirit e nisi fuqishëm çerekun e parë të këtij takimi duke qenë bindëse në dhjetëminutëshin e parë. Pejanët shënuan 17 pikë më shumë se kundërshtari në çerekun e parë (10:27).

Edhe pse jo aq bindës sa në çerekun e parë, basketbollistët mysafirë vazhduan të ishin më të mirë duke shënuar pesë pikë më shumë se kundërshtari në fraksionin e dytë (17:22). Kështu, pjesa e parë përfundoi me rezultat 27-49.

Çereku i tretë ishte i vetmi gjatë ndeshjes ku Rahoveci ishte në të njëjtin nivel me Pejën, pasi shënoi pikë të barabarta (19:19).

Pejanët e mbyllën me epërsi prej gjashtë pikësh çerekun e katërt (17:23) për rezultatin e përgjithshëm prej 91-63.

Peja tash numëron 14 fitore dhe tri humbje dhe renditet e dyta në tabelë me 31 pikë, katër më pak se Sigal Prishtina.

Rahoveci, nga ana tjetër, është në vend të gjashtë në renditje, me 25 pikë të arkëtuara nga gjashtë fitore dhe 13 humbje. /Telegrafi/

Exit mobile version