Peja ndez ‘motorët’ për stinorin pranveror. Pejanët grumbullimin e parë do të kenë të hënën për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjen e Ligës Ballkanike ndaj Balkanit më 14 janar. Ky takim do të zhvillohet në ‘Karagaçi’ të Pejës.
Kryetari Art Gashi ka folur edhe për ndryshimet që mund të jenë për pranverë, ku i vetmi basketbollist i huaj, i cili nuk e ka qëndrimin e sigurt është kroati Teo Simoviq. Trajneri Danijel Lutz të hënën do të ketë një takim me kryesinë, ku pritet të tregojë se kush do të qëndrojë e kush do të largohet.
Amerikanët nuk largohen
Tre amerikanët George Odufuwa, Mario Edwards dhe Frederick House nuk do të largohen sipas Gashit. “Amerikanët e kanë qëndrimin e sigurt. Odufuwa, Edwards dhe House do të vazhdojnë të jenë pjesë e skuadrës tonë, kurse për qendrën kroate Teo Simoviq ende nuk është e sigurt. Të hënën do të bisedojmë me trajnerin dhe do të shohim edhe opinionin e tij. Nëse Simoviq largohet, atëherë do të mundohemi të sjellim një qendër tjetër edhe pse do të jetë e vështirë të gjejmë lojtar të mirë tani”, ka thënë Gashi për ‘Sport Plus’.
Lucës edhe një rast
Largimi i Endrit Hysenagollit është konfirmuar zyrtarisht, derisa Ersid Lucës do t’i jepet edhe një rast. “Hysenagolli do të vazhdojë karrierën diku tjetër, ndërsa Lucës i është dhënë edhe një rast. Presim nga ai që të reagojë dhe të përmirësohet. Me lojtarët vendorë nuk do të ketë ndryshime”, theksoi më tej kryetari i pejanëve.
Përgatiten për Balkanin
Peja më 14 janar do të ndeshet me Balkanin në ‘Karagaçi’. Gashi beson se do të përgatiten sa më mirë për këtë sfidë. “Të hënën ia fillojmë përgatitjeve dhe besoj se do të jemi të gatshëm për këtë sfidë. Kemi kohë, andaj do të përgatitemi sa më mirë për ndeshjen me Balkanin. Do të mundohemi të tregojmë lojë sa më të mirë dhe normalisht të ‘luftojmë’ për fitore”, përfundoi Art Gashi.
Peja në 14 ndeshjet e zhvilluara në vjeshtë shënoi 13 fitore dhe pësoi vetëm një humbje nga Sigal Prishtina. Në Ligën Ballkanike bilanci i pejanëve është dy fitore dhe pesë humbje. /SportPlus/Telegrafi/