Telegrafi

Peja ende shpreson për gjysmëfinalen e BIBL-it

Kështu ka thënë të enjten njëri prej basketbollistëve më të dalluar të Pejës, Drilon Hajrizi. Peja të mërkurën mbrëma u mposht nga Sigal Prishtina (85:84) në kuadër të xhiros së tretë të fazës së dytë të Ligës Ballkanike. Kjo ishte humbja e tretë e Pejës gjatë këtij viti në tri ndeshje kundrejt Sigal Prishtinës.

Pejanët edhe në finalen e Kupës së Kosovës u mposhtën me rezultat të ngushtë nga Sigal Prishtina (81:78) dhe kjo në sekondat e fundit me trepikëshin e realizuar nga Willie Kemp. Të mërkurën Hajrizi pati aksionin e fundit dhe mundësinë për t’ia dhuruar ekipit të tij fitoren, por dështoi dhe ndeshja u mbyll 85:84 për Prishtinën.

Pas kësaj humbje të Pejës, të dy skuadrat kanë nga tri fitore e tri humbje në gjashtë përballjet e tyre të këtij sezoni në të gjitha garat. Peja ishte dominante në vjeshtë.

"Kemi ekip për të shkuar tutje, por definitivisht mund të them se fati na e ka kthyer shpinën në ndeshjet e fundit edhe pse po tregojmë lojë të mirë", ka insistuar Hajrizi. "Përfundimisht, nuk i kemi pritur këto tri humbje nga Prishtina. Të them të drejtën, kam pritur të paktën një fitore, por ne jemi dëshmuar si ekip i fortë, pasi dy ndeshjet e fundit i kemi humbur ngushtë".