Ecja nëpër rrugët e Pejës ka qenë e vështirë nga vërshimet e mëdha gjatë së hënës.
Kanalet e bllokuara që nuk kanë mundur t’u rezistojnë reshjeve të mëdha i kanë dhënë pamjen e një liqeni qendrës.
Banorët thonë se kjo është pasojë e infrastrukturës së dobët.
Vërshimet e kanë rrezikuar edhe Çarshinë e Gjatë, ku disa dyqaneve u ka hyrë uji brenda si dhe lagjet “Ramiz Sadiku”, “Fidanishte” dhe “Dardania.”
Por, Zëdhënësi i Komunës, Engelbert Zefaj, tha se gjendja e rendë në qytet u krijua për shkak se infrastruktura e kolektorëve nuk e përballoi sasinë e ujit nga të reshurat e mëdha.
Derisa kryetari Gazmend Muhaxheri e shpalli gjendjen emergjente dhe shkollat u mbyllën, ajo që ndodhi u quajt edhe punë e zotit.
Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Pejë ka fajësuar pushtetarët për gjendjen alarmante të krijuar nga vërshimet. Sipas Vetëvendosjes, për shkak të keqmenaxhimit të kanaleve të ujerave, e në veçanti të kanalit Qokulica, qyteti është vërshuar.
Ky problem në Pejë ekziston tash e sa kohë, por nuk janë marrë masa parandaluese për raste të tilla.