Palestra Karagaçi edhe kësaj radhe ishte mbushur plotë me tifozët e Shqiponjave të cilët e përkrahën skuadrën verdhezi drejt fitores së tretë në Ligën Ballkanike.
Pejanët qysh në pjesën e parë të takimit treguan se kanë cilësi më shumë se kundërshtari dhe me lojë të organizuar mirë arritën të krijojnë një epërsi solide prej 13 pikëve në përfundim të dy çerekëve të parë, 48-35.
Kjo epërsi ndikoi pak negativisht te verdhezinjtë pasi që në dy çerekët e fundit e lëshuan paksa tempon e lojës dhe filluan të bënin gabime në sulm, teksa kundërshtari arriti ta ngushtonte epërsinë deri në 6 pikë në minutat e fundit, mirëpo fati ishte në anën e pejanëve dhe kështu e mbyllën takimin me fitore. Rezultati përfundimtar i takimit ishte 79-67.
Peja me këtë fitore pozicionohet në vendin e shtatë në tabelën e Ligës Ballkanike me 11 pikë, duke e kaluar kështu Ballkanin që mbetet në pozitën e tetë me 10 pikë, teksa e fundit është Teodo me nëntë sosh. /Telegrafi/