Telegrafi

Peja e fortë për Trepçën

Palestra ‘Karagaçi’ ishte e mbushur plot me Shqiponjat e Pejës që gjatë tërë kohës qëndruan në këmbë duke brohoritur për ekipin e tyre të zemrës.

Trepça e nisi më mirë lojën se sa pejanët dhe e përmbyllën çerekun e parë me rezultatin në anën e tyre, 18-19. Me këtë ritëm ‘Xehetarët’ hynë edhe në pjesën e dytë dhe u treguan një skuadër më e mirë se Peja. Pjesa e parë e takimit përfundoi me rezultat 29-33 në të mirë të Trepçës.

Ndërsa, në pjesën e dytë loja mori një kah krejt tjetër. Pejanët si duket ishin këndellur dhe filluan të shënonin pikë radhazi, për të dalë në epërsi në përfundim të çerekut të tretë me rezultat 53-50.

Ndërkohë, çerekun e katërt lirisht mund të themi që Peja e dominoi në tërësi pasi mitrovicasit e humbën ritmin e tyre që e patën në fillim të ndeshjes.

Ndeshja përfundoi me rezultat 69:61 në të mirë të pejanëve. Me këtë fitore Peja ruan pozitën e liderit në tabelë. /Telegrafi/