Site icon Telegrafi

Peja do të forcohet për Ligën Ballkanike

Klubi i basketbollit Peja do t’i mat forcat me ekipet e rajonit në sezonin e ardhshëm, pasi Ballkan Liga vendosi ta afrojë në gjirin e saj, siç bëri muaj më parë me Sigal Prishtinën. Pa dyshim, njëri për më të merituarit që klubi verdh e zi do të jetë pjesë e kësaj lige është edhe kryetari Art Gashi.

Një djalë i ri, por mjaft ambicioz, ai me bashkëpunëtorë e morën në dorë Pejën vite më parë, kur ishte në gjendje të mjerueshme, duke e quar drejt suksesit kulminant të sezonit të fundit, duke u shpallur kampion të Kosovës.

Tash, klubin nga Rrafshi i Dukagjinit e pret një punë tjetër e madhe, ajo e organizimit të mirëfilltë dhe ndërtimit të ekipit për t’u bërë ballë ekipeve të rajonit.

“Ne jemi duke punuar qe tri vjet, për ta bërë një ekip evropian. Kryesia është e përbërë nga njerëz të rinj dhe për këtë kanë dyshuar dhe paragjykuar njerëzit. Por, me entuziazëm dhe me punë, mund të arrijmë shumë”, deklaroi kryetari Gashi për Express.

“Natyrisht, Pejën e ka ndihmuar edhe kryesia me përvojë shumë të madhe. Pa këshillën dhe punën e tyre, nuk do të mund të arrinim ku jemi sot. Peja do e ruajë këtë kryesi, e cila funksionon si një familje dhe synon që ky mos të jetë suksesi i fundit”, shtoi ai.

“Tifozët kanë pritur qe 20 vjet për të dalë në arenën ndërkombëtare. Ne duhet të tregojmë se dimë të luajmë dhe se e kemi merituar shumë më herët të jemi atje. Edhe tifozët tanë duhet ta tregojnë kulturën e duhur dhe të jenë shembull dhe model për klubet tjera”, vijoi ai. /Telegrafi/

Exit mobile version