Site icon Telegrafi

Peja dhe Shqiponjat ia ‘terrojnë’ Kozuvit

Edhe këtë ndeshje foleja e njohur e basketbollit kosovar ‘Karagaçi’ ishte mbushur përplot me tifozë pejanë, të cilët dhuruan atmosferë impozante përgjatë gjithë takimit.

Ndeshja e shumëpritur filloi me një intensitet të lartë, gjersa Teo Simovic tejet i disponuar për lojë shënoi dy kosha të njëpasnjëshëm për ta ngritur moralin e skuadrës dhe të tifozëve. Në vazhdim, mysafirët filluan të tregohen të rrezikshëm në trapez përmes gjigantit Bozovic që shënonte lehtë në trapez. Sidoqoftë, Peja e përmbylli çerekun e parë me një pikë epërsi, 12-11.

Në çerekun e dytë loja u ‘ndez’ me dy trepikësha të mysafirëve, të përcjellur me dy të tjerë nga Frederick House që i çoi ‘Shqiponjat’ në delir. Ky i fundit duke e dhënë edhe atomin e fundit e motivoi skuadrat e tij për ta marrë kontrollin e lojës dhe për ta ngritur epërsinë në gjashtë pikë në fund të pjesës së parë, 34-28.

House ishte i pandalshëm edhe në çerekun e tretë, teksa Shqiponjat me brohoritjet e tyre bënin që kundërshtarit t’i dridheshin duart kur posedonin topin. Verdhezinjtë e ngritën epërsinë në nëntë pikë, duke lënë kështu gjithçka për t’u vendosur në çerekun e fundit.

Në çerekun e katërt, u ndez edhe Mario Edwards me trepikëshat e tij, për t’ia dhënë edhe shtytjen e fundit që i duhej skuadrës për ta siguruar një fitore të madhe para tifozëve të saj të zjarrtë, me rezultat 68-62.

Peja me këtë fitore rrit gjasat për një kualifikim në play-off, pasi që tashmë pozicionohet në pozitën e gjashtë të Ligës Ballkanike me 13 pikë, po aq sa ka edhe Kozuvi një pozitë më poshtë. /Telegrafi/

Koshashënuesit më të mirë të Pejës:
1 Mario Edwards 21 pikë
2 Frederick House 16 pikë
3 Teo Simovic 10 pikë
4 George Odufuwa 10 pikë

 

Koshashënuesit më të mirë të Kozuvit:
1 Igor Mijaljovic 15 pikë
2 Miladin Pekovic 13 pikë
3 Slobodan Bozovic 10 pikë
4 Vladimir Filipovic 7 pikë

 

 

Exit mobile version