Telegrafi

Peja bashkoi njerëzit e shkencës, u fol për turizmin në Kosovë dhe Shqipëri! (Foto)

Festa e Flamurit Kombëtar, dita e 28 Nëntorit, në Pejë u shënua me bashkimin e njerëzve të dijes, arsimit dhe shkencës.

Me mbështetje të kryetarit të Komunës, Gazmend Muhaxheri, me organizim të Qendrës Kërkimore Zhvillimore Peja, në bashkëpunim me institute shkencore nga Shqipëria, Shkupi dhe Ulqini, dje dhe sot në Pejë u zhvilluan punimet e Konferencës Shkencore me temën “Strategjitë e Menaxhimit Kulturor të Turizmit në Kosovë dhe Shqipëri”.

Pjesëmarrës me artikuj shkencorë u paraqiten rreth 200 autorë.

U vlerësua se konferenca shkencore në fjalë shërbeu si motiv për të bashkuar në ditën e 28 Nëntorit shkencëtarët dhe studiuesit shqiptarë.

Sipas organizatorëve dhe pjesëmarrësve, ky bashkim dhe ky bashkëpunim është një dëshirë e të gjithë shqiptarëve kudo.

Kjo ngjarje u përkrah edhe nga Koorporata Dukagjini, OJQ “Forumi për Integrim dhe Zhvillim”, Agjencioni Mikrofinanciar AFK, Caritas Italiana Delegazione, nga Peja dhe studentët e Kolegjit Evropian “Dukagjini”. Falënderojmë të gjithë ata që e mundësuan këtë ngjarje të bukur dhe të rëndësishme shkencore dhe kombëtare. /Telegrafi/