Site icon Telegrafi

Peizazhe të bukura nga mbarë bota, në një ekspozitë unike të fotografisë

Një ekspozitë në Londër shfaq disa prej fotografëve kryesorë të peizazhit, me imazhet e realizuara në mbarë globin. Fotografi Graeme Green shpjegon nxitjen që jep bota natyrore, transmeton Telegrafi.

Green thotë se fotografia e peizazhit kërkon të dalësh, të fikësh telefonin dhe të shmangesh nga obligimet e përditshme.

“Nuk është vetëm arti i fotografisë tërheqës, por akti i daljes në natyrë dhe ajo frymëmarrja. Duke punuar me një aparat fotografik, duke kaluar kohën për të studiuar peizazhin, mund ta krijoni një hapësirë mendore për veten tuaj”, thotë ai.

Fotografia e peizazheve është ndryshe nga disiplinat tjera fotografike. Green për më shumë se 20 vite ka udhëtuar nëpër botë me një fletore dhe kamerë, duke lëvizur shpejt, duke prodhuar foto, duke shkruar artikuj, klasifikuar logjistikën dhe duke mbajtur kontakte me redaktorët.

“Fotografimi mund të jetë i shpejtë dhe shpesh përfshin një element adrenaline. Nëse një gorillë lëviz në xhungla të Ugandës apo një balenë del në sipërfaqe në Antarktidë, keni vetëm një moment për të bërë foto. Është njëjtë si puna për të fotografuar një protestë kaotike me gaz lotsjellës në Kili apo priftërinjtë vajtues në Butan, ku duhet të jesh vigjilent për momentin unik. Fotografët do të donin, por shtazët dhe njerëzit nuk janë të prirë të pozojnë”, thotë ai.

Green pëlqen fotografitë e rrugës, për të cilat thotë se imazhi shfaqet dhe zhduket në moment. Nëse e humb momentin, ai humbet përgjithmonë. Me fotografitë e peizazhit gjërat shkojnë më ngadalë, sepse duhen hulumtime.

“Fotografët e peizazhit e shohin fotografinë e tyre si qetësuese dhe medituese, më ka thënë një herë Charlie Waite. Unë përpiqem të bashkoj atë që pash dhe atë që ndjeva. Ajo që duhet të bëj është të nxis te shikuesi një ndjenjë të shijimit të ekzistencës njerëzore”, vazhdon Green.

Ekspozita në Londër quhet “Evolving Landscapes”, titull me të cilin do të quhet edhe një libër ku do të reprodukohen veprat e fotografëve të njohur, si Joe Cornish, Paul Sanders apo Matt Anderson. Fotografitë në Galerinë OXO përfshijnë edhe foto nga Gjirokastra e Shqipërisë.

Disa nga veprat që do të ekspozohen, mund t’i shihni më poshtë. /Telegrafi/

Borrowdale, Cumbria, Mbretëria e Bashkuar: Fotografi Joe Cornish thotë se ky imazh është ndikuar nga piktori John Constable – nga lëvizja e erës në pemë që i bënte jehonë lëvizjes së furçave!
Porthleven, Cornwall: Carla Regler kujton: “U drejtova buzë skelës ku valët po thyheshin dhe krijonin lakore të bukura”!
“Fillon me dritë mahnitëse… dhe përfundon mirë, me personin ideal që del në vendin e duhur” – Damien Demolder.
Loch Oich Forest, Invergarry, Skoci: “Mjegullat nga liqeni i afërt po krijonin një veshje misterioze për peizazhin” – Matt Anderson.
Vullkani Hekla: “Ishte pamja e papritur, një krater i mbuluar plotësisht nga bora pas një dimri të vonë në malet e Islandës” – Antony Spencer.
“Drita e mëngjesit prodhoi një ngjyrë melankolike të kaltër, në gjithë peizazhin që doja të kapja” – Graeme Green.
“Pamje nga Toskana. Shpesh vjen mjegulla e ulët kur dielli ngrihet” – Phil Malpas.
“Natyrë asimetrike e formave që m’u shfaqën. Oxhaqet e kuqe djallëzore i shtonin çudinë imazhit” – Charlie Waite.
“Kuajt po ecnin shpejt, kështu që u vrapova për të marrë një kuadër sikur ata lëvizin në kornizë” – Paul Sanders.
“Isha i tërhequr nga forma e pemës, bashkë me lëvoret e hirta” – Doug Chinnery (Credit: Doug Chinnery)
Teknikat e reja kanë lejuar që Sam Gregory të krijojë imazhe abstrakte, duke zbuluar “rrjedhshmërinë e peizazhit, të formuar nga elementët gjatë miliona viteve”.
Exit mobile version