Telegrafi

Pefqeli: Më është bërë si traditë të shënoj gol në minutat e fundit

Mërgim Pefqeli është deklaruar pas fitores së mundimshme të Prishtinës ndaj Llapit në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Mesfushori i skuadrës nga kryeqyteti shënoi golin e vetëm në ndeshje në minutën e 88-të, duke i mposhtur llapjanët në kuadër të javës së 31-të në Ipko Superligën e Kosovës në futboll.

Pefqeli është shprehur tejet i lumtur për golin e shënuar, ndërsa ka shtuar se i është bërë si traditë që të shënojë në minutat e fundit.

“Më është bërë si traditë që të shënoj gol në minutat e fundit”, ka thënë mesfushori 23-vjeçar pas përfundimit të ndeshjes.

“E ndjeva që do ta shënoj golin, pasi edhe e keni parë që u inkuadrova shpejt në lojë. Do të mundohemi që ta mposhtim edhe Trepçën, që do të jetë një ndeshje e vështirë, por që nuk do të ndalemi së luftuari deri në fund”, ka përfunduar Pefqeli. /Telegrafi/