Telegrafi

Pedro Sanchez do të jetë kryeministër i Spanjës edhe për katër vite të tjera

Lideri socialist Pedro Sanchez mori mbështetjen e shumicës së deputetëve në parlamentin spanjoll për formimin e një qeverie të re, dhe do të vazhdojë me mandatin e kryeministrit për katër vitet e ardhshme.

Partia Popullore konservatore fitoi zgjedhjet e korrikut, por udhëheqësi Alberto Nunez Feijoo nuk arriti të formonte shumicën, transmeton Telegrafi.

Ai fitoi në votimin në parlamentin 350-vendësh të Spanjës me mbështetjen e 179 deputetëve.

Të shtatë ligjvënësit që i përkisnin partisë katalane Junts, e cila kishte fuqinë ose të emëronte Sanchezin si kryeministër ose të detyronte Spanjën të mbante zgjedhje të reja, votuan për Sanchez.

Siç pritej, 171 deputetë të partisë së Feijoo dhe grupit të ekstremit të djathtë Vox, votuan kundër kandidatit socialist.

Udhëheqësi socialist synon të formojë një qeveri të pakicës me koalicionin e ekstremit të majtë Sumar, liderja e të cilit Yolanda Diaz ishte zëvendëskryeministrja e dytë në qeverinë e mëparshme.

Sanchez pritet të betohet para Mbretit të Spanjës Felipe VI të premten, dhe të kalojë fundjavën duke mbledhur emrat e ministrave që ai dëshiron në kabinetin e tij. /Telegrafi/