Telegrafi

Pedri i përgjigjet Kroosit pas ndërhyrjes së rrezikshme e cila bëri që ai të mos luajë më në Euro 2024

Mesfushori i Spanjës, Pedri nuk ka pasur fatin më të mirë sa i përket lëndimeve gjatë karrierës së tij dhe tashmë është konfirmuar që për yllin e Barcelonës, Euro 2024 ka marrë fund.

Pedri ka qenë në kulmin e formës për shumë kohë që prej se u bë i njohur në skenën e futbollit në vitin 2020 si një 17-vjeçar, sidoqoftë, ai ka vuajtur nga lëndimet në dy sezonet e fundit.

Ai ka qenë në top formë për Spanjën, por ka pësuar një lëndim si pasojë e një ndërhyrje të rrezikshme nga Toni Kroos, i cili më pas i kërkoi falje 21-vjeçarit përmes një postimi.

Pedri postoi një mesazh prekës në Instagram duke pranuar me shumë sportivitet kërkim faljen e Kroosit.

Postimi i plotë i Pedrit:

Unë erdha në Gjermani për Euro 2024 dhe do të vazhdojë këtu, deri në fund. Sepse ëndrra, pa dyshim, vazhdon.

Këtë javë është koha që të inkurajojmë dhe kontribuojmë në një mënyrë tjetër tek kjo familje e madhe që është Spanja. Përkrahja e tyre dhe e të gjithë juve ka qenë e jashtëzakonshme.

Momenti më i vështirë ka kaluar dhe tani rruga ka filluar, së shpejti me të gjitha forcat tek Barcelona.

Faleminderit Toni Kroos për mesazhin tuaj. Ky është futbolli dhe këto gjëra ndodhin. Karriera jote dhe rekordet tua do të mbesin përgjithmonë.

Unë dua të them vetëm edhe një gjë: Le të shkojmë Spanjë.

Mungesa e Pedrit do të jetë një problem i madh për De La Fuenten i cili tani duhet të punojë me një sistem pa prezencën e tij në një ndeshje gjysmëfinale ndaj Francës më 10 korrik në ‘Allianz Arena’.

Me shumë gjasë lojtari që do ta zëvendësojë Pedrin në formacionin startues do të jetë Dani Olmo, i cili shkëlqeu ndaj Gjermanisë në çerekfinale duke shënuar dhe asistuar./Telegrafi/