Site icon Telegrafi

Peci: Uzurpimi i pronave po mbrohet nga segmente të sistemit të drejtësisë

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka akuzuar segmente të caktuara brenda sistemit të drejtësisë, se po vazhdojnë të mbrojnë uzurpimin dhe zhvatjen e pronave publike.

Peci, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se MBPZHR po privohet nga e drejta për të ndërtuar objektin e saj, në pronën e saj.

“Institucionet e sigurisë kombëtare kanë vlerësuar se biznesi që operon përballë objektit të AKI-së nuk guxon të ushtrojë veprimtari në atë lokacion dhe se kjo përbën cenim të sigurisë kombëtare. MBPZHR ka përcaktuar atë lokacion për ndërtimin e objektit të Ministrisë së Bujqësisë për t’i ikur qirasë mbi gjysmë milioni për çdo vit”, ka shkruar Peci, përcjell Telegrafi.

Më tej ai ka thënë se “Vendimi i Gjykatës Komerciale për masë të sigurisë është vendimi më absurd që kam parë ndonjëherë në jetën time: ‘Shtyrja e ekzekutimit të vendimit nuk është në kundërshtim me interesin publik dhe palës kundërshtare nuk i shkakton ndonjë dëm pasi që paditësi do të vazhdojë të paguajë kompensimin e të paditurit në emër të shfrytëzimit të pronës së paluajtshme sipas obligimeve kontraktuale deri në marrjen e një vendimi përfundimtar në gjykatë lidhur me çështjen kryesore sipas kërkesë padisë”, thuhet ne arsyetimin e gjykatës”.

Sipas Pecit, “gjykata në fjalë nuk po e llogaritë interesin publik: Cenimin e sigurisë kombëtare; kursimin e mbi gjysmë milioni euro qira si dhe privimin nga mundësia që përmes ndërtimit të objektit të Ministrisë të plotësojë edhe një kriter që Kosovës t’i sjellë deri në 160 milionë euro fonde të IPARD”.

“Absurditeti i radhës qëndron edhe në faktin se Gjykata thirret në një kontratë, me qira mujore 500 euro për disa biznese, pompë benzine e restorant me një sipërfaqe prej 25 ari midis Prishtinës e cila ka skaduar me 31.12.2023 dhe nuk ekziston më”.

Peci gjithashtu thotë se “Unë e di që disa janë në hall, sikurse janë disa në Stankaj të Pejës ashtu edhe në Ulpianë të Prishtinës por unë mbroj hallin e qytetarit dhe interesin publik dhe nuk ndjej për hallet e kësaj kategorie. Nuk na ndalë asgjë!”

“Do të ndërmarrim dhe luajmë çdo gur deri në lirimin e pronave të uzurpuara ose të kontraktuara përmes marrëveshjeve korruptive!”, ka shkruar ai. /Telegrafi/

Exit mobile version