Faton Peci nga lista “Guxo”, ka reaguar ndaj PDK-së e cila hodhi akuza për vizitën kreut të LVV-së Albin Kurti dhe kandidates për presidente, Vjosa Osmani në Mitrovicën e Veriut.
Në Facebook, Peci thotë se reagimi i PDK-së, pos që është në linjë me atë të Listës Serbe, është po ashtu pranim i dështimit për mos ushtrim të autoritetit të të gjitha qeverive të saj, prej 20-vjetësh në veri të vendit.
Sipas tij, me këtë reagim, ata dëshmuan paaftësinë e tyre për ta qeverisur atë pjesë, sikurse dëshmuan edhe për pjesën tjetër të Kosovës.
“Madje, ky subjekt nëpërmjet njeriut të vet, ish-presidentit Thaçi le që dështoi të vendos autoritet në këtë pjesë, por e vuri tërësinë territoriale të Kosovës në pazar”, tha ai.
“Ne mbaruam vizitën tonë me sukses të plotë në veri të vendit. Reagimet për vizitën nuk e zhbëjnë atë. Ne jo vetëm që ishim, por do të jemi sërish atje. Jo për të bërë fushatë, por për të vendosur sundimin e rendit dhe të ligjit, të cilin PDK dhe satelitët e saj nuk arritën ta bëjnë prej dy dekadash”, shkroi Peci, njofton Telegrafi.