Site icon Telegrafi

Peci i përgjigjet Demaliajt: LDK ka kontribuar në luftë dhe paqe, Haradinaj po ik nga përgjegjësia (Video)

Faton Peci nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka thënë se partia e tij ka dhënë kontribut në luftë dhe në paqe dhe se nuk largohet nga përgjegjësitë.

Peci, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, duke iu përgjigj akuzave të panelistit tjetër Shkumbin Demaliaj, ka thënë se për të folur për kontributin e LDK-së nuk do të mjaftonte një emision i plotë.

Lexo po ashtu Demaliaj: LDK-ja iku nga përgjegjësia në luftë, po ik edhe nga dialogu (Video)

“Nuk mjafton një emision i këtij formati për të numëruar kontributet e LDK-së në luftë e paqe, edhe në Forca të Armatosura të Republikës së Kosovës edhe në beteja të lavdishme, si ajo e Loxhës, ku kontributi i njerëzve të LDK-së si Kolonel Tahir Zemaj e Ahmet Krasniqi e figura tjera, është pjesa më e ndritur e historisë së luftës dhe e viteve të 90-ta”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Zyrtari i LDK-së ka thënë se përgjegjësisë po i largohet kryeministri Ramush Haradinaj, pasi, sipas tij, ai ka thënë se nuk do të merret me politikën e jashtme.

“Është kryeministri juaj [Ramush Haradinaj] që vullnetarisht ka hequr dorë nga drejtimi i politikës së jashtme që e ka përgjegjësi kushtetuese. Ai është kryeministër dhe në radhë të parë, përgjegjësia kyçe në një sistem parlamentar siç është Kosova, është Kryeministri juaj që i ka ikur përgjegjësisë”, tha ndër të tjera Faton Peci në përgjigje të deklaratave të deputetit të AAK-së, Shkumbin Demaliaj./Telegrafi/

Exit mobile version