Site icon Telegrafi

Peci: Deri tani mbi 16 mijë fermerë përfitues të granteve

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci nëpërmjet një konference për medie ka bërë të ditur se ka filluar shpërndarja e subvencioneve për fermerët në Kosovë.

Gjatë kësaj konference, ai deklaroi se gjatë periudhe dy javore ministria ka arritur të distribuojë 24.9 milionë euro për bujqit.

“Kam potencuar se java e tretë e gushtit do të jetë javë e fillimit të procesimit të mjeteve në kategorinë e subvencioneve. Ne tashmë kemi filluar për një periudhë dy javore ne kemi arritur që të distribuojmë gjithsej një shifër monetare prej 24.9 milionë euro për bujqit e Republikës së Kosovës të cilët kanë aplikuar në programin e pagesave direkte për vitin 2022. Vlen të theksohet se gjithsej përfitues deri në këtë fazë janë 16 mijë e 593 aplikues”, tha Peci.

Ai tutje theksoi se me qëllim të mos vonimit në pagesa, ministria ka përcaktuar datën 2 shtator që të përfundoi procesi i distribuimit.

“Ne kemi filluar procesin e pagesave direkte, mirëpo me qëllim që të mos vonohemi në proces të distribuimit të mjeteve kemi përcaktuar datën 2 shtator, në të cilën të gjithë fermerët që janë kultivues të kulturës së grurit. Për shkak se programi për pagesa direkte për vitin 2022 në kategorinë e kulturës së grurit është një përkrahje e katërfishtë”, shtoi ai.

Peci u shpreh se të gjithë kultivuesit e grurit,  të cilët e paraqesin dëshminë e deponimit të grurit deri më 2 shtator, do të marrin edhe nje pagesë të veçantë.

“Sa i përket rendimentit apo përkrahjes me 3 cent për secilin kilogram të grurit ne kemi caktuar datën 2 shtator, andaj të gjithë fermerët që kanë qenë kultivues të grurit të deponojnë dëshmitë e tyre tek drejtoritë komunale për bujqësi, deri me datën 2 shtator dhe atë dëshmi ta procedojmë në ministrinë e bujqësisë. Ne pastaj do të realizojmë një pagesë të veçantë për të gjithë ata fermerë që vendosin të deponojnë sasitë e grurit tek mullisët”, përfundoi ai. /Telegrafi/

Exit mobile version