Site icon Telegrafi

Peci demanton kryetarin e Federatës Sindikale të Bujqve: S’ka vend për panik, kemi 33 për qind më shumë sipërfaqe të mbjella me drithëra

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka reaguar pas deklaratës së kryetarit të Federatës Sindikale të Bujqve, Tahir Tahiri, i cili tha se këtë vit Kosova mund të mbulojë vetëm 30 për qind të nevojave të vendit me prodhimin e grurit.

Peci, përmes një postimi në Facebook, tha se të dhënat zyrtare për korrje-shirjeve i posedon vetëm Ministria e Bujqësisë dhe asnjë indivit tjetër, teksa shtoi se deklaratat e tilla, duke iu referuar Tahirit, janë dezinformuese për publikun.

“Të dhënat zyrtare rreth korrje-shirjeve i posedon vetëm Ministria e Bujqësisë dhe asnjë individ tjetër. E çdo kush që pretendon që për teke personale ta dezinformojë opinionin publik dhe t’i shqetësojë Qytetarët e Republikës së Kosovës rreth sigurisë ushqimore, e ka shumë gabim”, ka shkruar Peci, transmeton Telegrafi.

Ai më tej tha se “për vitin 2022 sipërfaqja e drithërave të mbjellura është 33.04% më shumë se vitin e kaluar e që totali është rreth 91,436.11 hektarë bazuar në të dhënat e marra nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, në raportin e aplikimeve për Programin e Pagesave Direkte. Ndërkaq vetëm për misrin kemi një rritje prej 90.93% të sipërfaqeve të mbjellura apo një total prej 36,901.66 hektarësh apo 17,574.15 hektarë më shumë se viti paraprak”.

Lexo po ashtu Kryetari i Federatës së Sindikatës së Bujqve: Gruri që pritet të korret mbulon vetëm 30 përqind të nevojave vendore

“Nga të dhënat që posedojmë deri më tani si Institucion, teksa procesi i korrje-shirjeve është në vazhdimësi dhe akoma nuk është finalizuar, vetëm me grurë janë rreth 66,159.52 ha të mbjellura. Kjo shifër përfshinë edhe sipërfaqet nën dy hektarë ndërsa mbi dy hektarë numri i sipërfaqeve të mbjellura është 51,282.96 hektarë me një rritje prej 15.55% krahasuar me vitin e kaluar, ku sipërfaqet e mbjellura me grurë mbi dy hektarë kanë qenë rreth 44,381.83 hektarë”.

Sipas tij, deri më tani, nga tereni raportohet që rendimenti në shumicën  e vendeve e tejkalon edhe mesataren prej 4000kg për hektarë.

Peci ka kërkuar nga qytetarët, të mos bien pre e keq-informimit nga individë të cilët, sipas tij, nuk kanë arritur që t’i realizojnë kapriçot e veta personale, e në këtë mënyrë të ndikojë në rritjen artificiale të kërkesës për produkte bazike ushqimore.

“Nuk ka vend as për panik, as për shqetësim të kësaj natyre”.

“Deklarata të tilla në mungesë të informacioneve të sakta dhe në mungesë të të dhënave, sidomos në paraqitje të tilla publike shkaktojnë çrregullim të tregut!”

Peci tha se janë në koordinim të vazhdueshëm institucional me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, rreth ofrimit të mbështetjes sonë sa i përket çështjes së sigurimit të rezervës shtetërore.

Ndryshe, Tahir Tahiri, kryetar i Federatës Sindikatës të Bujqve, tha sot se arat e Kosovës këtë vit pritet që të japin bukën për vetëm 30 për qind të nevojave të vendit, krahasuar me nevojën totale për konsum.

“Sipas informacioneve tona nuk ka më shumë 40 mijë hektarë të mbjellë, aty diku. Bazuar në rendimente shumë të ulëta, nuk do të kemi më shumë se për 30 për qind të nevojave të popullatës. Me këto sipërfaqe dhe rendiment nuk do të arrijmë më shumë 3 mijë kilogramë për hektarë, mesatarja”, është shprehur Tahiri. /Telegrafi/

Exit mobile version