Ministria e Bujqësisë brenda dy javësh do të hapë thirrjen për fermerët që të aplikojnë në Programin e Pagesave Direkte/Subvencione 2025.
Kështu bëri të ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, ministri i Bujqësisë, Faton Peci.
Sipas tij, procesi i subvencionimit do të monitorohet me teknologjinë më të avancuar, përfshirë imazhet satelitore të fundit.
“Të dashur fermerë, brenda dy javësh hapet thirrja për aplikim në Programin e Pagesave Direkte/Subvencione 2025! Këtë vit kemi bërë një hap shumë të rëndësishëm drejt forcimit të transparencës dhe meritokracisë, pasi procesi i subvencionimit do të monitorohet me teknologjinë më të avancuar, përfshirë imazhet satelitore të fundit. Kjo do të mundësojë një verifikim milimetrik të çdo prone bujqësore, duke siguruar një proces të drejtë dhe eliminimin e çdo tentative për abuzim”, ka thënë Peci.
Tutje ministri ka ftuar fermerët që pas dy javësh të aplikojnë në mënyrë korrekte dhe të përfitojnë nga ky program. /Telegrafi/