Site icon Telegrafi

PDK: Vendimi i GjND-së për Pavarësinë e Kosovës, një sukses historik

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka përkujtuar sot vendimin historik të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) në Hagë, i cili më 22 korrik 2010 konstatoi se shpallja e Pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje me të Drejtën Ndërkombëtare.

PDK thekson se ky vendim vulosi përfundimisht të drejtën e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.

Në një mesazh të postuar në rrjetet sociale, PDK theksoi rëndësinë e këtij vendimi, duke nënvizuar se shpallja e pavarësisë pasqyron vullnetin dhe përpjekjet për shtetformim dhe shtetndërtim të një lidershipi vizionar.

“Ky vendim e vulosi përfundimisht të drejtën e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran. Shpallja e pavarësisë si suksesi më i madh historik i popullit dhe shtetit tonë, pasqyron vullnetin dhe përpjekjen për shtetformim e shtetndërtim të një lidershipi vizionar, në koordinim me aleatët ndërkombëtarë,” thuhet në deklaratën e PDK-së.

PDK gjithashtu theksoi angazhimin dhe përkushtimin e lidershipit kosovar për ndërtimin e një të ardhmeje të sigurtë për secilin qytetar. “Me angazhim e përkushtim për ndërtimin e një të ardhmeje të sigurtë për secilin qytetar, krenohemi me Kosovën,” përfundoi mesazhi i PDK-së.

Ky përvjetor shënon një moment reflektimi për arritjet e Kosovës dhe sfidat e saj në rrugën drejt konsolidimit të pavarësisë dhe sovranitetit./Telegrafi/

Exit mobile version