Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi në seancën e Kuvendit të Kosovës ka thënë se arsyeja kryesore e debatit në seancën e kaluar për dialogun Kosovë-Serbi dhe propozimi jonë për projektrezolutë, lidhej me takimin që ishte paralajmëruar të mbahej në Washington.
“Kemi një ndryshim të qasjes dhe ndoshta nivel tjetër të përfshirjes së SHBA-ve, gjë që do të ndikonte drejtpërdrejt për mendimin tonë në potencialin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ky proces që ka filluar shumë kohë më parë padyshim që ka një rëndësi tepër të madhe politike dhe ka edhe një peshë të madhe, dhe padyshim që një shtet serioz e para se gjithash Kuvendi i Kosovës si institucioni më i lartë në vend, nuk mund të rrij anash dhe të jetë vetëm një vend ku raportohet para dhe pas këtyre vizitave”, tha Krasniqi.
Ai shtoi se është e domosdoshme që të shohim platformën e Qeverisë dhe propozimet e saj në këtë proces.
“Nëse duam sukses në pajtim me Kushtetutën e Kosovës, është e domosdoshme që të kemi kohezion politik. Rezoluta që ne kemi propozuar ka pasur më shumë karakter teknik sesa politik”, ka thënë Krasniqi, duke thënë se e tërheqin projektrezolutën që e kanë propozuar në seancën e kaluar. /Telegrafi/