Partia Demokratike e Kosovës sot pritet të mbledhë Këshillin Drejtues, prej ku do të zgjidhet edhe kryesia e kësaj partie.
Nga PDK kanë bërë të ditur për Telegrafin se mbledhja e Këshillit Drejtues do të mbahet sot në orën 16:00.
Përveç përbërjes së Kryesisë së re, në këtë mbledhje pritet të zgjidhen edhe nënkryetarët dhe sekretari i PDK-së.
Sipas statutit të Partisë Demokratike të Kosovës, Këshilli Drejtues i kësaj partie ka 150 anëtarë të zgjedhur dhe kryetarin, anëtarët ex-office dhe nga një anëtar nga secili shtet ku kanë degë të mërgatës. Anëtarë ex-offfice janë: kryetari i RDK-së dhe kryetarja e GDK-së, shkruan Telegrafi.
Në statutin e PDK-së, neni 46 thuhet “Kryesia përbëhet nga kryetari, 3 nënkryetarët, sekretari i përgjithshëm, 8 sekretarë dhe anëtarët e tjerë. Mandati i Kryesisë është 4 vjeçar, ashtu siç është e përcaktuar me anë të këtij Statuti”
Kurse në nenin 47 ku flitet për mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të kryesisë thuhet se “Anëtarët/et e kryesisë zgjedhjen nga Këshilli Drejtues. Anëtarët/et propozohen nga Kryetari i Partisë dhe votohen në pako nga Këshilli Drejtues. Zgjedhja e anëtarëve të Kryesisë bëhet me votim të hapur, përveç se kur KD vendos ndryshe. Konsiderohen të zgjedhur ata kandidatë që kanë fituar shumicën e votave”. /Telegrafi/