Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka paraqitur sloganin e ri të partisë, për zgjedhjet lokale të 22 tetorit i cili do të jetë “Forca e Ndryshimit”.
Krasniqi duke paraqitur këtë slogan, theksoi se ai reflekton forcën dhe vullnetin e PDK-së për të ndryshuar vetë por edhe për t’iu prirë ndryshimeve në vend.
Ai tha se hapi i parë i PDK-së si forcë e ndryshimit përbëhet nga kandidimi i mbi 80% të kandidatëve për kryetarë komunash për herë të parë, duke dëshmuar gatishmërinë për të ndryshuar dhe për tu ripërtërirë.
“Po ashtu një hap tjetër domethënës i ndryshimit është kandidimi i tre grave, profesioniste të shquara e të suksesshme, si kandidate për kryetare të komunës, duke demonstruar qëllimin tonë për të forcuar rolin e grave në vendimmarrje”, tha Krasniqi.
Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur që ditën e parë të fushatës mos ta bëjë në formë tradicionale në ndonjë tubim, por përmes aktiviteteve që vënë në qendër të vëmendjes qytetarin.
“Fushata kësaj radhe do të nis në të gjitha komunat ku ne kandidojmë, ndërkaq aktivitetin qendrorë do ta kemi në qytetin e Mitrovicës”, ka deklaruar Krasniqi.
Gjatë kësaj konference nënkryetari i PDK-së, ka paraqitur edhe logon e re të PDK-së e cila konsiston në akronimin e emrit të partisë në ngjyrë të kaltër, por me një stilizim modern të kokës së shqiponjës në shkronjën D.
Krejt në fund, Krasniqi u ka bërë thirrje qytetarëve dhe subjekteve tjera politike për një fushatë të qetë, të drejtë dhe demokratike. /Telegrafi/