Partia Demokratike e Kosovës, ka dalë me një sqarim për aksionin e disa aktivistëve të shoqërisë civile brenda oborrit të selisë qendrore të Partisë Demokratike të Kosovës.
Në këtë drejtim, sipas një njoftimi thuhet se Partia Demokratike e Kosovës shpreh keqardhje për incidentin e ndodhur sot në oborrin e selisë së saj.
“Pjesëtarët e sigurimit të PDK-së kanë reaguar në bazë të detyrës që kanë, pasi që paraprakisht nuk kanë qenë të informuar për një aktivitet të tillë, kështu duke krijuar keqkuptimin që turma e mbledhur para selisë kishte qëllime tjera e jo zhvillimin e një aktiviteti nga shoqëria civile”, thuhet në njoftim.
Në këtë drejtim, Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se dëshiron të theksoj së ky është një rast i izoluar dhe nuk përkon më frymën dhe vlerat e saj.
“Partia Demokratike të Kosovës beson dhe promovon të drejtën thelbësore të demokracisë, atë të protestës dhe reagimit qytetar”.
“Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së i ka takuar javën e kaluar përfaqësuesit e shoqërisë civile të cilët kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me projektligjin për financimin e partive politike”.
“Sigurisht që shqetësimet e tyre do të merren parasysh dhe do të trajtohen me seriozitetin më të lartë, nga ana e Kuvendit të Kosovës”.
“Partia Demokratike e Kosovës sikur në të kaluarën, është e hapur për bashkëpunim me të gjitha organizatat e shoqërisë civile dhe i sheh ato si partnere në rrugëtimin e përbashkët të shtet ndërtim”, thuhet në njoftimin e PDK-së. /Telegrafi/