Telegrafi

PDK shpall zgjedhjet e brendshme partiake

Përmes një kumtese për shtyp, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) shprehet se pret numërimin e secilës votë të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, “për ta çuar në vend vullnetin e plotë të qytetarëve”. Ky supbjekt fton institucionet përgjegjëse dhe partitë politike, që të kontribuojnë për një përfundim demokratik të këtij procesi zgjedhor.

Po sipas njoftimit, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, në përputhje me vendimin që është marrë në mbledhjen e Këshillit Drejtues, më 29 korrik 2017, dhe në përputhje me Statutin e PDK-së, nga sot shpall zgjedhjet e brendshme partiake.

“Partia Demokratike e Kosovës fton të gjitha strukturat e veta, nëpër degë, nëndegë dhe seksione, të fillojnë përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të brendshme. Partia Demokratike e Kosovës fton të gjithë anëtarësinë e saj, të gjithë qytetarët, në veçanti të rinjtë dhe gratë, që të bashkohen në vizionin e Partisë Demokratike dhe të marrin pjesë në këto zgjedhje të cilat do të mbahen në javët dhe muajt në vijim. PDK mbetet lidere në shumë ndryshime, në sjelljen e figurave të reja në skenën politike, njerëz profesionistë, si dhe për hapësirën që u ka dhënë grave e të rinjve dhe do të vazhdoj edhe më fuqishëm në Konventën e ardhshme zgjedhore”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/