Site icon Telegrafi

PDK shkarkon Bekim Haxhiun nga pozita e nënkryetarit në Skenderaj dhe përjashton nga partia shtatë anëtarë

Kryesia e degës së PDK-së në mbledhjen e mbajtur sot, të udhëhequr nga Kryetari i degës Sami Lushtaku, ka marrë vendim që të përjashtojë nga Partia Demokratike e Kosovës dega në Skenderaj 7 anëtarë të zgjedhur në Kuvendin komunal të Skenderajt dhe të shkarkojë nga posti nënkryetarit të Degës, Bekim Haxhiun.

Në një komunikatë për medie, dega e PDK-së ka njoftuar se me vota unanime të anëtarëve të Kryesisë pjesëmarrës në mbledhje, janë përjashtuar 7 anëtarë të saj.

Ndërsa vendimi ka ardhur për shkak të mosrespektimit të vendimit unanim të organeve të partisë lidhur nominimin e kandidatit të PDK-së për kryesues të Kuvendit Komunal, duke u rreshtuar krah subjekteve opozitare në Kuvend dhe duke shpërfillur madje edhe ftesat për konsulta nga organet drejtuese të PDK-së.

”Këto veprime, Kryesia e degës i cilëson si shkelje flagrante të Statutit të PDK-së, neni 65 paragrafi 1, sipas të cilit ‘Të gjithë anëtarët e PDK-së, përfshirë edhe ata që janë në pozita të larta udhëheqëse brenda PDK-së të cilët shkelin statutin, vendimet e organeve të PDK-së, programin, devijojnë nga politika e PDK-së, se në ndonjë formë tjetër shkelin parimet dhe vlerat e PDK-së, ndaj tyre shqiptohen masa disiplinore’, paragrafi 2 ‘masa disiplinore’. Pika (f), ‘Përjashtimi nga PDK’”.

Në bazë të vendimit anëtarët e Kuvendit të përjashtuar nga PDK janë:

1.Azem Gashi, 2. Musa Fazliu, 3.Fatbardha Haliti, 4.Ilir Ejupi, 5.Sami Aruqi, 6.Driton Hetemi, 7.Fatlume Kodra.

Gjithashtu Kryesia e degës, me propozim të Kryetarit Sami Lushtaku ka marrë vendim që të shfuqizojë vendimin e më hershëm për emërimin e Bekim Haxhiut nënkryetar i degës së PDK-së në Skenderaj.

Në bazë të këtij vendimi Bekim Haxhiu që nga sot (e marte) nuk është nënkryetar i degës së PDK-së në Skenderaj, ndërsa i njëjti vazhdon të jetë anëtar i Kryesisë së degës së PDK-së në Skenderaj”, thuhet ne komunikatë. /Telegrafi/

 

Exit mobile version